5 Dhjetor, 2024 - 6:15 pm
– Një model i ri i motit i bazuar në inteligjencën artificiale mund të japë parashikime 15-ditore me saktësi dhe shpejtësi të pakrahasueshme – përmes aplikacioneve që mund të shpëtojnë jetën ndërsa ndryshimet klimatike rriten, tha sot Google.
“GenCast”, i shpikur nga laboratori kërkimor i inteligjencës artificiale me qendër në Londër, “Google DeepMind” shfaqi aftësi më të mira parashikimi krahasuar me modelin aktual, tha sot kompania.
Qendra Evropiane për Parashikimet e Motit me Distanca të Mesme (ECMWF) ofron parashikime për 35 vende dhe konsiderohet si një pikë referimi globale për saktësinë meteorologjike.
Por “DeepMind” tha që “GenCast” e tejkaloi saktësinë e parashikimeve në më shumë se 97% të 1320 skenarëve të botës reale nga viti 2019.
Detajet e gjetjeve të tij u botuan në “Nature”, një revistë kryesore shkencore.
Shefja e ECMWF Florence Rabier tha se projekti ishte një “hap i parë” drejt integrimit të IA-së në parashikimin e motit.
“Ne po përparojmë vit pas viti. Çdo metodë e re që mund të përmirësojë dhe përshpejtojë këtë progres është jashtëzakonisht e mirëpritur në kontekstin e presioneve ekstreme të ndryshimeve klimatike”, tha ajo.
Modeli u testua për katër dekada dhe mund të ofrojë një parashikim 15-ditor në vetëm tetë minuta – krahasuar me orët që duhen aktualisht.
“GenCast” ofron parashikime më të sakta të motit të përditshëm dhe ngjarjeve ekstreme sesa sistemi kryesor operacional deri në 15 ditë përpara”, tha “DeepMind”.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se moti ekstrem po bëhet më i zakonshëm dhe më i rëndë – si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu./KultPlus.com