12 Janar, 2023 - 10:10 am
“Germin” ka lansuar platformën digjitale të Programit për Angazhimin e Profesionistëve nga Diaspora në vendet e origjinës (versioni BETA).
Programi për Angazhimin e Profesionistëve të Diasporës (EDP) ka nisur në vitin 2019 dhe që nga ajo kohë janë angazhuar 94 profesionistë, të cilët kanë ndarë ekspertizën dhe njohuritë e tyre me institucionet publike, organizatat joqeveritare dhe kompanitë private në Kosovë dhe Shqipëri.
Angazhimi i tyre me prezencë fizike është realizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore mes 1 deri në 6 muajsh, ndërsa shumë prej tyre kanë vazhduar edhe më gjatë kontributin në formë virtuale.
“Duke pasur parasysh kërkesën nga ana entiteteve pritëse në vendet amë dhe potencialin e madh njerëzor në diasporë, ne kemi dizajnuar një platformë që ka për qëllim të lehtësojë lidhjen mes tyre. Me lansimin e platformës për profesionistë, të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në vendin amë mund ta bëjnë duke u regjistruar në këtë VEGËZ (LINK)”, thuhet në njoftim.
Platforma funksionon në mënyrë të tillë që të bëhet përputhja automatike mes profileve të profesionistëve të diasporës dhe kërkesave dhe nevojave të entiteteve pritëse në vendet amë. / KultPlus.com