16 Dhjetor, 2021 - 9:29 am
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz, ka njoftuar se sot do ta vizitojë për herë të parë Luginën e Preshevës, transmeton KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja, e cila përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ka shkruar se ndjehet shumë e privilegjuar që do ta përfaqësojë këtë vend.
Postimi i saj i plotë:
“Me një ditë vonesë, pas pak do të filloj vizitën time të parë në Luginën e Preshevës. Ndihem shumë e privilegjuar që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të vizitoj përfaqësuesit institucional dhe qytetarët e komunave në Luginë dhe të flas e të shoh nga afër se si mund të thellojmë bashkëpunimin tonë. Së bashku me prof. Rexhep Gjergjin jemi nisur drejt Bujanocit, ku do të takohemi fillimisht me kryetarin e kësaj komune, z. Nagip Arifi. Takime do të zhvillojmë edhe me përfaqësues të tjerë institucional në këtë komunë. Gjatë ditës do të qëndrojmë edhe në Preshevë, ku do të takohemi edhe me kryetaren e komunës, znj. Ardita Sinani. Do të zhvillojmë takime me deputetë, përfaqësues të partive politike shqiptare dhe studentë”.
Ndërkaq, MPJ-ja ka njoftuar se kjo vizitë ishte planifikuar të ndodhte ditën e djeshme, por Serbia kishte anuluar një gjë të tillë. /KultPlus.com