11 Prill, 2025 - 3:00 pm
Sot është mbajtur Akademia Përkujtimore e dëshmorëve në Betejën e Koshares dhe është kujtuar dita e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se “Kosharja mbetet plagë dhe krenari. Dhembje dhe burrëri. Është kujtesa jonë kolektive për atë që kemi kaluar dhe amaneti për atë që duhet t’i dalim Zot atdheut.”
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Kosharja krenare e prillit 1999
Ka data që nuk i përkasin kalendarit, por zemrës. Ka beteja që nuk përkufizohen me taktika ushtarake, por me shpirtin e atyre që dhanë gjithçka, edhe jetën, që ne sot të jetojmë të lirë. Kjo është Kosharja.
Mëngjesin e hershëm të 9 prillit 1999, në brezin kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, nisi njëra ndër betejat më vendimtare të luftës sonë çlirimtare. Beteja e Koshares, si pjesë e Operacionit “Shigjeta”, shënoi jo vetëm përleshjen me një regjim të dhunshëm dhe të egër, por edhe shembjen simbolike të një kufiri të padrejtë që për dekada ndante kombin shqiptar.
Për më shumë se dy muaj, mbi 2000 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan në një vijë disa kilometërshe përballë forcave të armatosura serbe, të një ushtrie që kishte mbjellë dhunë, terror dhe krime në gjithë Kosovën. Pavarësisht numrit dhe armatimit, nuk arritën ta ndalin valën e vendosmërisë që vinte nga të gjitha trojet shqiptare.
Në ballë të betejës ishin emra që sot i kemi të gdhendur në kujtesën tonë kolektive: Agim Ramadani, arkitekti i betejës; Sali Çekaj, simbol i guximit dhe strateg i përkushtuar; dhe me ta, 112 luftëtarë të tjerë që ranë dëshmorë në këtë betejë. Mbi 400 u plagosën. Por liria që ata ndihmuan ta fitonim, nuk njeh çmim.
Brigada 138 “Agim Ramadani”, e përbërë nga luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare, udhëhoqi sulmin, duke i dhënë kësaj beteje dimensionin e një bashkimi kombëtar në ideal dhe në gjak. Forcat e UÇK-së, të ndihmuara nga mbështetja ajrore e NATO-s, përballuan me sukses një regjim që përpiqej ta mbante të ndarë dhe të shtypur një popull të tërë.
Beteja e Koshares e theu jo vetëm kufirin politik të vendosur më 1913 e konsoliduar më 1918, por edhe frikën, robërinë dhe iluzionin se Kosova nuk do ta arrinte kurrë lirinë. Ishte këtu që ndarja artificiale u shndërrua në lidhje të pandashme mes Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe bashkë me këtë lidhje, u forcua besimi i popullit te Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe te drejtësia e luftës sonë.
Sot në Akademinë Përkujtimore të dëshmorëve në Betejën e Koshares dhe në ditën e rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, kujtuam me pietet jetën dhe vepren e tyre për më të shtrenjtën tonë, Kosovën. Andaj, sot e gjithnjë, Kosharja mbetet plagë dhe krenari. Dhembje dhe burrëri. Është kujtesa jonë kolektive për atë që kemi kaluar dhe amaneti për atë që duhet t’i dalim Zot atdheut.
Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares.
Ju jeni vetë liria jonë./ KultPlus.com