13 Tetor, 2022 - 9:54 pm
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se sot në Bruksel procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët shënoi një hap të rëndësishëm.
Ajo ka theksuar se me këtë hap ka nisur edhe faza e fundit e këtij procesi që kosovarët e meritojnë prej kohësh.
“Sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara. Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, ka shtuar tutje Gërvalla.
Gërvalla, mes tjerash, thotë se Grupi Punues i Këshillit të BE-së për vizat nuk pati kundërshtime dhe kontestimi veçse janë ngritur disa çështje teknike.
“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, ka shkruar kryediplomatja e Kosovës. /KultPlus.com