GFP rendit Kosovën të 134-ën në botë për nga fuqia ushtarake

9 Janar, 2023 - 3:44 pm

Kosova është renditur e 134-ta për nga fuqia ushtarake, sipas një raporti të GlobalFirepower.

Bazuar në këtë matje vjetore ku ishin përfshirë 145 shtete të botës, nga Ballkani si shteti më i fortë renditet Greqia, duke u pozicionuar në vendin e 30-të. Ndërsa sipas GFP, Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohen me ushtrinë më të fortë në botë.

Për këtë renditje ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili është shprehur se Kosova ka shënuar një ngritje për pesë vende sa i përket fuqisë ushtarake dhe njerëzore.

“Bazuar në matjet vjetore të GFP, rishikimit vjetor të indeksit të Fuqisë Globale Ushtarake 2023, në mesin e 145 shteteve, Kosova ka shënuar një ngritje për pesë vende sa i përket fuqisë ushtarake dhe njerëzore.

Në këtë studim është vlerësuar numri i ushtrisë, numri i pajisjeve ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë”, shkruan Mehaj i cili tutje shprehet se Ushtria e Republikës së Kosovës çdo vit e më shumë po ngritë kapacitetet e saj profesionale dhe operacionale për të kontribuar jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit, por dhe në rajon e më gjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme