28 Tetor, 2024 - 4:00 pm
Pas një pune disamujore, kryer në laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit në muzeun “Onufri” nga restauratori Erion Lezi, përfundoi ndërhyrja riparuese për ikonën “Gjashtë Apostujt me Shën Mëhillin”, vepër e fillimit të shekullit XVII, atribuar Onufër Qipriotit.
Restaurimi i kësaj vepre është një arsye më shumë për të vizituar muzeun “Onufri” me ekspozimin për herë të parë të një tjetër thesari të shpëtuar ikonografik.
Kjo ikonë, e dimensioneve të mëdha, është pjesë përbërëse e deisit të madh e cila kompozohet nga dy skena. Ajo prej dekadash ka qëndruar në fondin e muzeut “Onufri” dhe për herë të parë ekspozohet për publikun.
Ikona edhe pse e restauruar përpara disa dekadash, paraqiste problematika të ndryshme si çarje suporti, dëmtim të kornizimit, dëmtim të grundit dhe shtresave përgatitore, dëmtim të pelikulës piktorike, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme të lëna nga restaurimi i mëparshëm (dyll dhe parafine) si dhe oksidim verniku. Të gjitha këto copëtonin tërësinë e skenës, tjetërsonin ngjyrat dhe bukurinë e ikonës si dhe rrezikonin degradimin e saj./atsh/KultPlus.com