20 Qershor, 2020 - 11:41 am
Nëse është e vërtetë që jeta është një ëndërr, për disa edhe mund të realizohet. Kështu ka ndodhur edhe për 33-vjeçarin shqiptar Dijonis Xhindoli, i cili një vit më parë hapi një restorant në Londër, “The clock n8” dhe gjashtë muaj më pas u bë pjesë e guidës më të njohur të restoranteve në botë, Michelin.
”Një prestigj ky që e katalpultoi shefin shqiptar mes emrave më të njohur të gastronomisë në Britani, në një moment kur moshatarët e tij janë në vshtirësi për gjetjen e një pune, për shkak të krizës. Xhindoli i lindur në vitin 1987 në Shqipëri në moshën dhjetëvjeçare emigron me familjen në Itali. Braktis Italinë në vitin 2018 për shkak të pamundësisë për të gjetur punë dhe vendoset në Londër.”, thuhet në artikullin e dedikuar në gazetën e njohur italiane, ‘Forlitoday’, për shqiptarin e suksesshëm.
KultPlus ka sjellur intervistën e plotë të përkthyer në shqip, që shtjellon më shumë për karrierën dhe rrugëtimin e Xhindolit
Dijonis si ka qene adoleshenca jote në Forlì?
Unë kam lindur në vitin 1987 në Shqipëri, familja ime u vendo në Forlì në vitin 1998 pas problemeve që pati vendi në atë periudhë. Kam bërë shkollën fillore në Bersani, ku u detyrova të ndiqja dy herë klasën e pestë për të mësuar italishten. Pastaj ndoqa studimet normalisht dhe në vitin 2007 u diplomova si gjeometër. Kur isha në vit të fundit të shkollës fillova të punoj në disa nga baret dhe restorantet e vendit si kamarier dhe ndihmës kuzhinier. Në një prej restoranteve më të mëdha shefi i kuzhinës që ishte dhe pronari më mësoi si të gatuaja midhjet, të cilat edhe sot i kam në menu, dhe është një pjatë shumë e kërkuar nga anglezët.
Gjithmonë ke menduar se do të ishte kuzhina profesioni yt?
Po, absolutisht. Pasi u diplomova duhej të nisja karrierën si gjeometëtr, por nuk kishte asgjë për të bërë, unë vazhdoja të mendoja për kuzhinën dhe miqve të mi u thosha shpesh, “Herët a vonë do të hap një restorant”
Kur vendose që të transferoheshe në Londër?
Në vitin 2018. Por gjithçka filloi në vitin 2014, kur kriza po thellohej më shumë në Itali. E lashë punën i gjeometër dhe fillova të beja punë të ndryshme. Që nga puna në fabrikë e deri stilist. Por u lodha nga ajo situatë dhe në vitin 2018 lashë punën që kisha dhe u nisa për në Londër me një dëshirë të madhe për të punuar por në të njëjtën kohë me shumë pikëpyetje dhe frikë. Me ndihmën e një miku tim që jetonte prej kohësh në Londër arrita të gjeja një dhomë për jetuar dhe nisa menjëherë të kërkoja punë. Më duhet ta them që punën e gjeta thuajse menjëherë. Fillova në kuzhinë si ndihmës kamarier ose si i thonë anglezët “demi chef de parties”.
A ishte e vështirë periudha e parë?
Duhej të punoja shumë, por unë isha i vendosur që të mësoja dhe të rritesha. Nisa të përmirësoja anglishten dhe kështu arrita të gjej punë në një hotel me 5 yje në qytet, në City, ku u njoha edhe më bashkëpunëtorin ti aktual, Farukun. Ndërkohë që ne mendje vazhdoja të kisha idenë e restorantit.
Dhe pastaj erdhi momenti…
Po. E binda Farukun që të bashkëpunonte ditën e ditëlindjes time, me 25 maj 2019, dhe kështu hapëm restorantin në një nga lagjet elitare të Londrës Crouch End. Restoranti quhet “The clock N8”, gatuajmë kuzhinë moderne britanike dhe ndërkombëtare.
Kur erdhi vlerësimi Michelin?
Në dhjetor 2019 vendosëm të punësonim një konsulent. Nëpërmjet njohjeve të mia lidhem me një djalë italian Marco Cristaldi, i cili ishte bashkëpunëtor i Gordon Ramsey (një ikonë në Britani dhe në botë). Marco filloi të më asistonte në menaxhimin e restorantit dhe një ditë, më saktë një natë më telefonoi në orën 2 dhe më tha “Dijonis, shiko je në faqen e Michelin”. Askush nuk e besonte që një restorant i hapur prej gjashtë muajsh mund të dilte më faqen e guidës më të njohur të restoranteve në botë. Që këtu nisi fama dhe filloi të rritej numri i klientëve që na frekuentojnë.
E ardhmja?
Në të ardhme, pavarësisht pandemisë, kemi në plan të zgjerohemi dhe të hapim restorante të tjerë. / KultPlus.com