20 Gusht, 2019 - 12:01 am
Gjatë ditës doli informata se dy gra ishin zhdukur ndërsa vetëm para pak minutash, u konfirmua se të njëjtat janë gjetur.
Dy gra, njëra gjermane dhe tjetra polake, dyshohej se ishin zhdukur në rajonin e Alpeve shqiptare.
Gjatë ditës së sotme Albinfo.ch raportoi se dy gra po kërkoheshin nga Kosova, Mali i Zi e Shqipëria për shkak se dyshohej se ishin zhdukur.
Lajmin e kishte bërë të ditur Admir Laliq, drejtor i Parqeve Kombëtare në Mal të Zi, në llogarinë e tij private në Facebook. Postimi i tij është shpërndarë shumë edhe nga alpinistët në Kosovë e rajon. Ajo që dihet, sipas Laliqit, është se dy gratë kishin hyrë në Mal të Zi nga Shqipëria përmes pikëkalimit në Vermosh me veturën e tyre më 13 gusht, përcjell albinfo.ch.
Tani Image of Kosova me anë të një postimi ka treguar se dy gratë janë gjetur.
“Lajmi i ditës vjen nga Alpet Shqiptare ku dy vajzat, njëra nga Gjermania dhe tjetra nga Polonia, janë gjetur shëndosh e mirë. Vajzat ishin zhdukur nga data 14 gusht dhe nuk dihej lokacioni i tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.