29 Qershor, 2021 - 9:00 am
Një pikturë e artistit Pablo Picasso, e cila ishte vjedhur nëntë vite më parë gjatë një plaçkitjeje në një galeri të artit në Greqi, tashmë është gjetur.
Të hënën, policia në Athinë tha se piktura “Koka e Gruas” është gjetur bashkë me një pikturë tjetër të vitit 1905 të piktorit holandez, Piet Mondrian.
Këto dy piktura dhe një tjetër ishin vjedhur gjatë një plaçkitjeje në Galerinë Kombëtare të Athinës në vitin 2012, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Agjenia Reuters, duke cituar një burim anonim të policisë, raportoi se një burrë grek është arrestuar, pasi pikturat u gjetën në një kanal në periferi të qytetit.
Piktura e vjedhur e Picassos i ishte dhënë dhuratë Galerisë Kombëtare nga vetë artisti në vitin 1949. Pasi e kishte pikturuar një dekadë para se ta jepte dhuratë, ai kishte thënë se pikturën po ia jepte Greqisë si mirënjohje për rezistencën kundër Gjermanisë naziste.
Pritet që zyrtarët grekë të mbajnë një konferencë për gazetarë më vonë të martën rreth gjetjes së këtyre pikturave. / Gazeta Express / KultPlus.com