1 Shtator, 2019 - 1:00 pm
Skenderbeu është heroi më i madh kombëtar i shqiptarëve. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e tokave shqiptare nga Perandoria Osmane. Busti i tij gjendet në një numër të madh qytetesh europiane si dhe për të janë shkruar një numër i madh librash.
KultPlus ju sjell shtatë thënie të Skënderbeut nga letërkëmbimi i tij gjatë viteve 1456-1465:
-Kur bëhet bashkë e mira me të mirën, veç mirësi ka. Kështu ka ndodhur sa herë që kam pasur të bëj me njerëz të mirë.
-Vendi im është i varfër dhe shtëpia ime është e vogël. Por atë ma ka falur Zoti.
-Dihet nga të gjithë se sa dëm i madh i shkaktohet fesë së krishterë po të hiqni dorë nga kujdesi [vigjilenca] që keni treguar kundër armikut.
-Ne kemi kërkuar të ruajmë besën, në mbrojtje të së cilës kemi kaluar rreziqe sa nuk mund të numërohen, dhe sa herë e kam përballuar vdekjen me dashje.
-Të gjithë jemi të krishterë të barabartë nëpërmjet pagëzimit.
-Çfarëdo që të ndodhë, unë do jem mik i virtytit, dhe jo i fatit.
-Ne quhemi Epirotë, dhe duhet të keni dijeni se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën luftime të mëdha me Romakët, dhe ne e dimë se në më të shumtën e herëve, ata u ndanë me nder sesa me turp. /KultPlus.com