12 Gusht, 2020 - 5:29 pm
Shumë femra shqiptare po arrijnë suksese në botë, duke u bërë emra të njohur dhe duke zotëruar poste të mira pune. Gjermania pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimin profesional është shumë e madhe, shkruan albinfo.ch.
Pa dyshim se me punë e angazhim individual, çdokund në botë mund të dalin ekonomistë e menaxherë të mirë. Shumbulli i njëjtë është me shqiptaren Dr. Valbona Zeneli, e cila tashmë është storie suksesi në shtetin gjerman. Arritjet e saj janë fryt i punës së vazhdueshme, sistematike e konsistente të një ekonomistje të përkushtuar, siç është Dr. Valbona Zeneli.
Sot ajo zotëron një post të lartë si profesoreshë e Studimeve për Siguri Kombëtare pranë “George C. Marshall European Center for Security Studies” në qytetin e Garmisch, Gjermani, shkruan albinfo.ch.
George C. Marshall Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë është një nga pesë Qendrat Rajonale të Mbrojtjes së SHBA-së dhe Qendra e vetme dypalëshe. Është gjithashtu e vetmja qendër rajonale për Republikën Federale të Gjermanisë.
Misioni i Marshall Center është të mundësojë zgjidhje për sfidat rajonale dhe transnacionale të sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve, aksesit dhe një rrjeti të lidhur globalisht, shkruan tutje albinfo.ch.
E lindur në Shqipëri, Dr. Valbona Zeneli është diplomuar në ekonomi politike nga Universiteti i Barit. Ajo studio në drejtimin e Marketingut nga Georgetown University. Po ashtu studio edhe në Administrim-Biznes nga Universiteti i Bolonjës.
Dr. Zeneli ka zhvilluar karrierën e saj profesionale dhe akademike në fushat e ekonomisë ndërkombëtare, marketingut dhe politikat e sigurisë së shteteve.
Po ashtu duhet theksuar se gjatë rrugëtimit të saj profesional, ajo ka ofruar konsulencën e saj në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare për disa kompani shqiptare. /Albinfo.ch / KultPlus.com