11 Shkurt, 2021 - 12:24 pm
Më shumë se 75 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kanë filluar përgatitjet e përkujtimores për viktimat polake të regjimit nazist, që do të ndërtohet në Berlin.
Një komision i përbërë nga ekspertë gjermanë dhe polakë u takua për herë të parë sot për të diskutuar një koncept për memorialin, me një rezultat që pritet në fund të verës.
“Memoriali do të jetë një vend takimi dhe shqyrtimi i historisë, ku qytetarët gjermanë dhe polakë mund të takohen dhe të thellojnë marrëdhëniet e tyre”, shkruhet në propozimin e paraqitur nga parlamenti.
“Ndërsa Holokausti ulet me të drejtë në vendin qendror të kujtesës sonë, si kapitulli më i errët i historisë gjermane, diku tjetër ka boshllëqe”, tha ministri i Jashtëm, Heiko Maas, me rastin e takimit.
“Pikërisht në Poloni nisi marrëzia e luftës racore-ideologjike të shfarosjes në Europën Lindore”, shtoi ai.
Memoriali është i pari që përfaqëson një grup kombëtar të viktimave nga Lufta e Dytë Botërore në Berlin. /atsh/ KultPlus.com