29 Qershor, 2022 - 3:42 pm
Prokuroria Themelore e Ferizajt posedon prova se Dardan Krivaqa e kishte dhunuar Marigona Osmanin, duke e dërguar me forcë në banjon e banesës, sado që në pamjet kamerave e ndjera shihet duke rezistuar. Sipas prokurorisë, Arbër Sejdiu, ishte kujdesur që dhuna që po zhvillohej ndaj 18-vjeçares të mbahej fshehur, pa e marrë vesh fqinjtë apo dikush përreth.
Në aktakuzën e ngritur për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, të cilën e posedon të plotë Gazeta Express, Prokuroria Themelore e Ferizajt arrinë në përfundim se nga Dardan Krivaqa është kryer vepra penale “dhunimi”, ndërsa Arbër Sejdiu, e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”.
Prokuroria konstaton se Krivaqa ka kryer marrëdhënie seksuale me të ndjerën pa pëlqimin e saj, ndërsa gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e telefonit dhe ujë për ta këndellur 18-vjeçaren, që sipas prokurorisë kjo është bërë me qëllim që ajo t’i ndjente dhimbjet më shumë.
“Nga provat e konstatuara, prokuroria ka ardhë në përfundim se në mes të pandehurit Dardan Krivaqa dhe të ndjerës Marigona Osmani ka pasur marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e kësaj të fundit, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet e marra në vendin e ngjarjes, e ku shihet se e ndjera në fillim edhe pse nuk është plotësisht e orientuar reziston dhe e shpreh qartë dhe në mënyrë serioze se nuk është e pëlqimit për të kryer akt seksual ose për ta vazhduar atë, mirëpo i pandehuri me forcë e dërgon në banjë derisa e njëjta është lakuriq e po ashtu me forcë e kthen në dhomë, gjithashtu e ndjera nuk është e aftë për të dhënë pëlqimin për aktivitete seksuale për shkak të aftësisë së zvogëluar mendore dhe fizike, zvogëlim që ka ardhë si pasojë e dhunës fizike dhe psikike që është përdorë nga i pandehuri, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet ku i pandehuri shihet në dy raste duke e bartur për shkak se nuk është në gjendje të lëvizë vet e dërgon të ndjerën në banjo e cila është lakuriq. Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga video-incizimet. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse…E po ashtu në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë, po ashtru tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndjenjë sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorë për ta këndellë”, thuhet në aktakuzë, transmeton Gazeta Express.
Prokuroria konstaton se Arbër Sejdiu e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”. Prokuroria thotë se Arbër Sejdiu herë pas here shikon përmes vrimës së derës nëse dikush është duke u interesuar se çfarë po ndodh në banesë.
Tutje, Prokuroria thekson se vrasja është kryer në mënyrë mizore dhe vdekja e viktimës ka ardhë si pasojë e përdorimit të forcës fizike.
Nga informacionet e marra nga Policia e Kosovës, në aktakuzën e prokurorisë ceket se Dardan Krivaqa është i dyshuar që nga viti 2006 për kryerjen e 133 veprave të ndryshme penale, ndërsa Arbër Sejdiu është i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. /KultPlus.com