Gjimnazi i Ferizajt në kushte të tmerrshme, profesoresha e matematikës në shenjë proteste refuzon të punojë në këtë objekt

20 Tetor, 2023 - 3:11 pm

Gjendja e tmerrshme e objektit të gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, që ka kushte minimale për mësim, me mure të thyera, pa ngrohje, me myk, pa funksionim të toaleteve, me kulm që pikon kur bie shi dhe shumë mungesa të tjera ka revoltuar mësimdhënësen e lëndës së matematikës, Zoja Lohaj Konjufca, e cila si shenjë revolte është deklaruar se nuk do të vazhdojë dhënien e mësimit në këtë shkollë, deri në zgjidhjen e këtij problemi, shkruan KultPlus.

Një kërkesë-deklaratë se tashmë Zoja Lohaj Konjufca nuk do të vazhdojë procesin mësimor, si shenjë proteste për neglizhencën nga kompetentët për mos ndërtimin e objektit të ri të shkollës, ndërtim që ka stagnuar tash e gjashtë vjet, e ka dorëzuar në Komunën e Ferizajt, kërkesë që e ka siguruar gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

“Në shenjë revolte, unë si mësimdhënëse e këtij gjimnazi të lartpërmendur ju njoftoj se refuzoj të punoj në këto kushte të papërballueshme për nxënësit dhe profesorët”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e Lohaj Konjufca, e cila ka paralajmëruar Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Ferizajt dhe Kuvendin Komunal të kësaj komune, se këtë revoltë-protestë e shpreh në emër të saj dhe nxënësve të saj, prindërve të tyre, klasë në të cilën është edhe kujdestare e kësaj klase. Ajo kërkon që menjëherë të fillojnë punimet në objektin e ri, të kthehet dinjiteti i nxënësve dhe i arsimit.

Ajo në fund ka potencuar se refuzon të punojë në këtë institucion deri në funksionimin e plotë të objektit në fjalë.

KultPlus ju sjell të plotë dokumentin e siguruar, sikurse që ka siguruar mbështetjen nga nxënësit e saj./ KultPlus.com

Të ngjajshme