Gjinushi: Akademia e Shkencave, jo më institucion honorifik

28 Shkurt, 2025 - 4:50 pm

Në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kryetari akad. Skënder Gjinushi, paraqiti raportin përmbledhës të veprimtarisë vjetore të Akademisë së Shkencave për vitin 2024.

“Viti 2024 shënoi kthimin e Akademisë nga një institucion thjesht honorifik, në një institucion kryesor aktiv të kërkimit shkencor. Për herë të parë pas 17 vjetësh institutet e albanologjisë, Qendra e Studimit të Artit si dhe ajo e bioteknologjisë e gjenetikës e ushtruan aktivitetin e tyre si pjesë aktive e kërkim-studimit pranë Akademisë, si njësi të përhershme të saj”, u shpreh akad. Gjinushi.

Kreu i ASHSH theksoi se, investimi për shkencën është investimi më i drejtpërdrejtë për brezat e rinj dhe masa më efikase për frenimin e largimit të trurit, madje dhe për rithithjen e tij.

Me tej, Gjinushi trajtoi në fjalën e tij rikonfirmimin e tezave bazë të albanologjisë, vjetërsinë e gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, etj. duke theksuar se, Akademia nuk është mohuese, por vërtetuese e lashtësisë dhe origjinës së hershme të shqipes e qenies së saj një degë fillestare e trungut indoeuropian, degë-bijë.

Kryetari i ASHSH, cilësoi përgatitjen e Fjalorit të madh të shqipes si realizimin më të rëndësishëm të kësaj akademie. Prej 100 mijë lema që ishte parashikimi, fjalori do të përmbajë 120 mijë lema.

Një nga projektet e ASHSH për të ardhmen është të ketë dhe entin e saj botues. Në programin dhe synimet e ASH-së për vitin 2025 parashikohen që të kryen rreth 140 aktivitete, 84 projekte, botimi i 11 periodikëve dhe rreth 65 tituj veprash a aktesh konferencash a botime promovuese.

Objektivi kryesor është rritja e investimeve për shkencën, me programim të qartë, për të arritur te niveli i financimit 1% të GDP-së para vitit 2030, objektiv ky i vënë në Samitin e Akademive e të universiteteve publike në kuadër të procesit te Berlinit, zhvilluar në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme