28 Janar, 2022 - 3:00 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e cilësoi sot Ismail Kadarenë si shkrimtarin më të rëndësishëm të pesë shekujve të historisë së letërsisë shqipe, prej fillimeve të saj deri më sot.
Në fjalën e tij në një veprimtari shkencore-promovuese me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, e cila u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Saverina Pasho, dr. Ylljet Aliçka, Gjinushi tha se “Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i certifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Evropë e në shkallë globale në kohën e sotme”.
“Meritat letrare të Ismail Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore, që nga Franca deri në Korenë e Veriut, që nga SHBA e Spanja deri në Jeruzalem”, tha Gjinushi.
Kryetari i Akademisë e vlerësoi figurën e Ismail Kadresë si përfaqësim ndërkombëtar të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve në shkallë botërore.
“Sot vepra letrare e Ismail Kadaresë shërben si një pasaportë identiteti dhe si një histori alternative e popullit shqiptar përgjatë shekujve dhe sidomos në kohërat e reja. Kjo vepër ka qenë dhe mbetet një projekt me karakter evropian dhe një program i shkëlqyer i përurimit të vlerave të identitetit të shqiptarëve kundrejt botës”, tha akad Gjinushi.
Studiuesi francez Jean-Paul Champseix kujtoi periudhën kur jetonte në Shqipëri ku nisi kërkimin për elementët e veçantë të krijimtarisë së veprës së Ismail Kadaresë.
“Ideja për të parë mënyrën se si pritej vepra më erdhi kur punoja në Universitetin e Tiranës dhe në të njëjtën kohë lexoja Kadarenë. E pyesja veten se çfarë mund të mendonte vallë lexuesi shqiptar. Dhe natyrisht nuk kisha se si ta dija”, tha ai.
Ndërsa theksoi sesi e prezantoi librin në Francë duke e lexuar më parë në kontekstin letrar dhe historik në të tashmen e regjimit të Enver Hoxhës dhe egërsinë e tij totalitare, studiuesi francez e cilësoi veprën e Kadaresë, duke iu referuar “Pallatit të ëndrrave” si një bombë për diktaturën.
“Për Kadarenë, rreziku nuk është shumë i madh, sepse megjithëse unë jam munduar ta kontekstualizoj atë në periudhën e vet historike, vepra del nga kjo kornizë në sajë të cilësive të saj”, u shpreh ndër të tjera studiuesi francez Jean-Paul.
Shkrimtari i madh Ismail Kadare feston sot 86-vjetorin e lindjes./ KultPlus.com