19 Shtator, 2024 - 7:00 pm
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, priti sot në një vizitë zyrtare ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber. Takimi u organizua me rastin e përgatitjeve të simpoziumit të përbashkët shkencor për figurën e Eugéne Pittard që do të mbahet më 9 tetor 2024.
Sipas njoftimit për mediat, nga Akademia e Shkencave, gjatë takimit u bisedua rreth figurës shumëdimensionale të Eugéne Pittard në rrethet akademike të Shqipërisë, për rolin e tij në njohjen e Shqipërisë si shtet dhe anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve (1920), si dhe për kontributin e tij si arkeolog, antropolog dhe si bashkëthemelues i Kryqit të Kuq Shqiptar me gruan e tij Helene Pittard.
Gjatë këtij takimit u theksua se Eugene Pittard është zbuluesi i parë i sitit të lashtë arkeologjik të Trenës në Korçë (1924).
Puna e tij ka nxitur studiues dhe arkeologë të tjerë, ku u përmend kontributi i studiuesit zviceran prof. Albert Hafner që udhëheq ekipin shqiptaro-zviceran të kërkimeve arkeologjike në këtë zonë dhe që do të jetë i pranishëm dhe në ditën e konferencës më 9 tetor 2024.
Bashkëorganizimi i një veprimtarie shkencore jubilare në nderim të figurës dhe kontributit të studiuesit Eugene Pittard mes Ambasadës së Zvicrës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të shërbejë dhe si një urë për të tjera nisma dhe organizime të përbashkëta.
Mes këtyre nismave, me rëndësi është edhe përfshirja e studiuesve e albanologëve të të dyja vendeve në projektin madhor të “Enciklopedisë shqiptare”./atsh/KultPlus.com