Gjinushi: Shqipja gjuhë e mrekullueshme, rezultat i një procesi 6-mijëvjeçar

21 Nëntor, 2024 - 5:00 pm

Në ceremoninë e çeljes së Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë “Sfidat e gjuhës shqipe në shekullin XXI”, akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbajti një fjalë përshëndetëse.

Në emër të ASHSH, akad. Gjinushi mbështeti nismën e Qeverisë për shpalljen e vitit 2024 Vit të Gjuhës Shqipe, që u bë pjesë e një kalendari mbarëkombëtar: në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, në Arbërinë e arbëreshëve e në Mal të Zi, në ngulimet historike e në diasporë.

“Pa njësimin e alfabetit dhe latinizimin e shkrimit, të vendosura aty, nuk mund as të kuptohet, as të përfytyrohet rruga historike që ndoqi gjuha shqipe përgjatë një shekulli e më shumë që nga viti 1908. Kombi shqiptar u formua dhe shteti shqiptar u pavarësua përmes kontributit të shoqërive atdhetare, klubeve kulturore e lëvizjeve mendore e vendimeve të marra në kongrese e evente si ai i Manastirit”, tha në Kuvend, kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi.

Gjinushi, në fjalën e tij, përmendi studimet e bazuara mbi ADN-në e popullatave e gjetjet arkeologjike ndër vite, të cilat dëshmojnë lashtësinë e vijimësinë e popullimit të rajonit tonë që prej 8 mijë vjetësh.

“Këto studime nuk flasin për supremaci të një gjuhe ndaj të tjerave, as të një popullsie ndaj të tjerave, por i japin shqipes e shqiptarëve, historisë së tyre, vendin që iu takon; tregojnë gjithnjë e më qartë rrugëtimin e formimit të etnosit shqiptar e gjuhës shqipe, krahas e në dallim me gjuhët e popujt e tjerë, shkallën e ndërthurjes midis ardhësve e vendësve, e ky proces 6-mijë vjeçar, me zanafillë parailire e parapellazge ka dhënë këtë gjuhë të mrekullueshme me të cilën Kadare diti të shkruajë kryevepra botërore, dëshmi kjo e pasurisë së saj”, tha akademik Gjinushi.

Më tej, ai theksoi se, ne të gjithëve na takon ta mbrojmë këtë pasuri e vlerë kombëtare: së pari, ta mbrojmë nga vetja, nga keqpërdorimi a mospërdorimi. Gjithashtu duhet theksuar, sipas Gjinushit, rëndësia që ka gjuha standarde, tregues ky i një stadi të avancuar të zhvillimit të kulturës e gjuhës së një kombi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme