28 Shtator, 2023 - 7:21 pm
Rijetëzimi i banesave në Gjirokastër edhe pse është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës po pengohet nga qytetarët pronar të banesave që tashmë janë pjesë e trashëgimisë botërore.
Nëpërmjet këtij vendimi që mban datën 26 janar 2022 Ministria e Kulturës financon mirëmbajtjen dhe rijetëzimin e këtyre ndërtesave duke dhënë bonuse nga 1 milion deri ne 6 milion lekë.
Por çfarë ka ndodhur në Gjirokastër? Ky qytet i cili është pjesë e UNESCOS, që në vitin 2005 shumë ndërtesa që mbajnë kategorinë e parë dhe të dytë të objekteve të mbrojtura po rrënohen. Problematikat kryesore janë konfliktet e pronësisë, dhe për rrjedhojë mungesa e një dokumentacioni të tillë pengon aplikimin dhe marrjen e bonusit.
Emisioni Fiks Fare solli banesa të amortizuara dhe shkatërruara edhe pse janë në lagjet historike të qytetit.
Çati të rëna, llamarina në vend të dyerve të drunjta, dhe mure të shembura, kjo është panorama e një rrugice të lagjes “Pazari”
Ardis Duka , drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër tregoi për Fiksin se kjo është një problematikë e madhe për Gjirokastrën, pasi kështu rrezikohen shumë ndërtesa që kanë vlera të veçanta. “Për këtë duhet një rregullim me ligj, sepse pronarët mund të mos duan asnjëherë t’i rindërtojnë apo mirëmbajnë këto ndërtesa, por janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe si të tilla janë përgjegjësi e jona dhe e shtetit për t’u mbajtur” thotë z.Duka.
Ai tregon se problemet e pronësisë janë pika kryesore që nuk mund të aplikohet për fondin që jep Ministria e Kulturës.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm në Bashkinë Gjirokastër, Nertil Nebiaj thotë se këtë vit Gjirokastra ka patur një bum turistësh, por problematikat e shkatërrimit të shumë monumenteve ndikojnë negativisht në këtë gjë. “Bashkia ka bërë maksimumin që të gjejë dhe të mbledhë pronarët, mungesa e tyre ka çuar në rrënimin e banesave tek rrugica e Pazarit” thotë z.Nebiaj. E ndërkohë që pronarët nuk bëhen bashkë, monumentet e kulturës po rrënohen një nga një./TopChannel/KultPlus.com