2 Mars, 2024 - 4:00 pm
Konkursi ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”, megjithëse i zhvilluar disa muaj më parë, solli materiale filmike dhe fotografi të cilat vazhdojnë të na mrekullojnë me bukuritë që ofron Shqipëria.
Magjepsëse është edhe fotoja që ndau së fundmi në rrjetet sociale, Agjencia Kombëtare e Turizmit. Fotoja e realizuar nga Raimond Kola, tregon kështjellën e Gjirokastrës dhe një pjesë të qytetit parë nga lart dhe mbështjellë nga mjegulla e cila krijon ndjesinë e një imazhi ëndrre. Kalaja imponuese dhe qyteti i Kadaresë vijnë sa enigmatik aq edhe ftues për t’i zbuluar, për të përjetuar shekujt dhe historitë e shkruara në gur.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels pati si moto të vetën “magjepsjen pas Shqipërisë me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj”. Në këtë fokus, fotografë vendas e të huaj, profesionistë e amatorë, përcollën imazhet e tyre nga Shqipëria, drejt një bote që falë teknologjisë, është bërë gjithnjë e më e lehtë për t’u arritur. Mes 300 fotografive të përzgjedhura dhe 100 videove reels, u zbuluan bukuritë shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore, kulinarisë e siteve arkeologjike. / KultPlus.com