9 Nëntor, 2023 - 10:18 am
Revista kulturore amerikane “Aramco World” ka publikuar një shkrim për qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në këtë revistë, ndërsa theksoi se “Gjirokastra është bërë jehonë edhe në revistat kulturore amerikane”.
“S’ka si nis më bukur dita me diell me Gjirokastrën e zemrës në ballinën e numrit të fundit të revistës kulturore amerikane Aramco World me përshkrimet për qytetin e gurtë me zemra të buta, me magjepsjen nga muret e kështjellës te rrugicat e kalldrëmta në të cilat jehon isoja e këngës polifonike përmes portreteve të ndjera gjatë Festivalit Folklorik”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “ruajtja e kësaj trashëgimie të mbrojtur nga UNESCO si pasuri botërore, që buron nga shpirti e përshkohet nga lotët, siç thotë edhe i madhi Arjan Shehu është si një thirrje zërash të mjeshtërve të saj”.
Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “Festivali Folklorik i Gjirokastrës 2023 nuk ishte një edicion i jashtëzakonshëm, por kartolina më e bukur, që mbartte shpirtin e një kombi, servirur nga Ministria e Kulturës. Jehona e tij ka kaluar kontinentet, këtë e dëshmon dhe revista amerikane Armco World, që përshkruan mbresat e jashtëzakonshme”.
Për 8 ditë e netë feste në Gjirokastër, qyteti i gurtë u kthye nga 24 qershori deri më 1 korrik të këtij viti në kryeqendrën kombëtare të promovimit të vlerave të folklorit dhe traditës, artistike dhe të trashëgimisë kulturore. Në edicionin e XI të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë performuan në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike.Ndërkohë që Gjirokastra vijon të jetë edhe një nga qytetet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj./ atsh / KultPus.com