12 Nëntor, 2023 - 10:00 pm
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte sot në Gjirokastër, ku vijoi turin e takimeve së bashku me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe me kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.
Kumbaro u shpreh se ekipi i bashkisë sivjet kanë bërë një punë të shkëlqyer në pritjen dhe menaxhimin e 300 mijë turistëve, duke i surprizuar, jo vetëm me atraksionet historike, kulturore e natyrore, por edhe me standarde premium të bujtinave dhe restoranteve falë një bashkëpunimi shumë të frytshëm e në sinkron me sektorin privat.
“Kanë qenë transformimet e mëdha në vizion e administrim që e kanë bërë Gjirokastrën ndër tre bashkitë që kanë përfituar më së shumti nga projektet e donatorëve, duke e çuar qytetin drejt 12 muajve turizëm”, tha ministrja.
Ajo nënvizoi se, “Sheshi i Çerçizit” është thuajse në përfundim, parkimi nëntokësor ka nisur të funksionojë duke kthyer zemrën e Gjirokastrës në një pedonale që lidh bukur Qafën e Pazarit me pjesën tjetër të qytetit dhe bypass-i i ri hap një tjetër front për zhvillimin e strukturave akomoduese. / KultPlus.com