Gjirokastra në pozicion të sigurt si destinacion turistik

22 Shkurt, 2025 - 8:30 pm

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte sot në Gjirokastër ku vizitoi familjen e Asim Rondos, gjirokastritë me breza, fëmijët e të cilit, profesionistë të vyer pas përvojave në emigracion, po blejnë shtëpi të vjetër për ta kthyer në bujtinë.

Kumbaro u shpreh e sigurt që Selami, një nga djemtë e shtëpisë dhe mjeshtër i gurit dhe kalldrëmeve do ta kthejë bujtinën në një model të mikpritjes gjirokastrite.

“Nuk e fsheh dot gëzimin që projektet e mëdha të rijetëzimit dhe iniciativave si kjo e familjes Rondo, po i shtojnë dita-ditës kalldrëmeve të qytetit gjallërinë, identitetin, traditën, duke krijuar një zinxhir ekonomie dhe po i japin Gjirokastrës një pozicion të sigurt si destinacion turistik nga tregjet e rajonit deri tek ato të vendeve të largëta”, theksoi Kumbaro.

Gjirokastra me vlerat historike, ndërtimore, trashëgiminë kulturore, resurset e pasura si dhe mikpritjen e banorëve gjithmonë e më tepër është një vlerë e spikatur në hartën kombëtare dhe ndërkombëtare të turizmit të qëndrueshëm dhe cilësor.

Ndërsa numri i turistëve vijon të rritet nga viti në vit, shtohet nevoja për akomodim çka ka nxitur ngritjen e bizneseve të reja./ KultPlus.com

Të ngjajshme