14 Shkurt, 2023 - 9:46 am
Kulla e sahatit në qytetin Adiyaman është shndërruar në simbolin e fitores së jetës kundër vdekjes, pasi është ndër ndërtimet e pakta në zonë që i ka shpëtuar tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë.
Qyteti, ku pjesa dërrmuese e popullsisë janë kurdë, është rrafshuar thuajse plotësisht. Por në pamjet e përcjella nga mediat turke, kulla 40-vjeçare e sahatit qëndronte e drejtë mes mbeturinave. Ajo që bie më shumë në sy është se orët e vendosura aty kishin ngecur të gjitha në 4:17, orën ekzakte kur vendi u godit nga tërmeti i parë i magnitudës 7,7.
Më shumë se 41 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga ai që konsiderohet tërmeti më i madh që ka goditur vendin që prej vitit 1936. Autoritetet turke vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në Siri, “Helmetat e Bardha” kanë ndërprerë punën.
Në Turqi, janë arrestuar disa ndërtues, të cilët fajësohen se nuk kanë respektuar rregullat e ndërtimit dhe për pasojë godinat që ata kanë ngritur u shembën. / KultPlus.com