13 Shtator, 2024 - 10:36 am
Mbrëmjen e djeshme, festivali “Gjon Mili Jazz & Blues Festival”, solli ritme të veçanta dhe një performancë plot energji të jashtëzakonshme.
Elona Islamaj Quintet, solli tinguj të gjallë në ditën e tretë të festivalit. Me një ide nga Andi Kongo, pianisti e aranzhuesi i grupit, kuinteti solli një repertor nga kompozitori i njohur italo-amerikan Harry Warren me origjinë arbëreshe nga Civita (Calabria).
Warren ka kompozuar muzikë për shfaqe në Broadway dhe më shumë se 50 filma hollivudianë, duke fituar 3 cmime Oscar dhe 11 kandidatura për këngën më të mirë.
Përveç këngëve të mirënjohura si “At Last”, “That’s amore”, Chattanooga Choo Choo, etj, shumë prej këngëve të tij kanë ngelur pjesë e repertorit Standart Jazz dhe janë interpretuar nga muzikantët më të mëdhenj jazz botërorë si Ellington, Armstrong, Miller, Waller, Monk, Davis, Evans, etj.
Elona e ndan pasionin e saj midis muzikës klasike dhe këngës, kryesisht në rrymat jazz dhe blues falë timbrit të ngrohtë vokal të saj. Aktualisht ajo është violiniste në Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar.
Elona Islamaj u shoqërua në këtë koncert nga: Andi Kongo, pianist jazz, dirigjent dhe kompozitor me eksperienë të gjerë në skenat shqiptare dhe italiane dhe pedagog i Muzikës Jazz në Universitetitn e Arteve; Arbin Alimeri një nga basistët e parë të muzikës jazz në Shqipëri dhe kontrabasist në Teatrin e Operas dhe Baletit; Emiljan Dhimo, baterist jazz me eksperiencë shumëvjeçare në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe pedagog në Perkusion Jazz në Universitetitn e Arteve; Eno Gjoka, një saksofonist i ri shumë premtues që ka studiuar në Austri dhe me aktivitet shumë të pasur artistik./atsh/KultPlus.com