23 Qershor, 2022 - 11:11 am
Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës.
Akgjykimi ndaj Pajazitajt u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019./ KultPlus.com