2 Shkurt, 2023 - 3:22 pm
Gjykata e lartë e Italisë ka vendosur që fëmijët nuk janë të detyruar të takojnë gjyshërit nëse nuk dëshirojnë, sipas The Guardian.
Vendimi ka të bëjë me ankesën e prindërve të dy fëmijëve kundër vendimit të një gjykate më të ulët që i kishte detyruar më parë fëmijët të kalonin kohë me gjyshërit e tyre nga babai.
Çëshja nisi kur gjyshërit kërkuan që të merreshin masa, duke u ankuar se nuk ishin në gjendje të takonin fëmijët “për shkak të pengesave të vendosura nga prindërit”, me të cilët kishin një konflikt familjar.
Gjyshërit fituan si në gjykatën për të mitur edhe në gjykatën e apelit në Milano. Prindërit apeluan në gjykatën e lartë për të rrëzuar vendimin. Në vendimin e saj, gjykata e lartë tha se ndonëse “nuk ka dyshime” se dy fëmijët “do të përfitonin nga takimi me gjyshërit”, ata kishin shprehur kundërshtimin e tyre ndaj marrëdhënies me ta dhe nuk mund të detyroheshin t’i takonin.
Prandaj, gjykata vendosi që interesat e fëmijëve duhet të jenë më të rëndësishme se ato të gjyshërve dhe se nuk mund të imponohet “një marrëdhënie e padëshiruar”, aq më tepër nëse fëmijët janë “të aftë për të vendosur” dhe kanë mbushur moshën 12 vjeç.
Sipas ligjeve italiane, një fëmijë ka të drejtë të mbajë marrëdhënie me gjyshërit, edhe nëse prindërit ndahen.
Gjyshërit gjithashtu kanë të drejtë të kërkojnë nga gjykata që të përcaktojë nëse vendimi i një prindi për t’u mohuar atyre takimin me nipërit e mbesat është i dëmshëm për mirëqenien e fëmijës dhe i paligjshëm. / KultPlus.com