8 Shtator, 2020 - 8:20 pm
Një gjykatë e apelit në Serbi ka hedhur poshtë katër dënime të lidhura me vrasjen e gazetarit, Slavko Çuruvija më 1999 dhe urdhëroi që lënda të shkojë në rigjykim, njoftuan mediat lokale më 7 shtator.
Katër ish-oficerë të inteligjencës ishin dënuar me burgim shumëvjeçar për vrasjen e Çuruvijas, një kritik i njohur i presidentit të Jugosllavisë të asaj kohe, Slobodan Milosheviq.
Në një vendim të shpallur më 15 korrik, por i cili u publikua këtë javë, gjykata përmendi “shkelje të rëndësishme të dispozitave të procedurës penale”.
Siç thuhet, gjykata arriti në përfundimin se dënimet e prillit të vitit 2019 nuk ishin të bazuara në prova.
Dy nga të dënuarit, Rade Markoviq, ish-kreu i sigurimit të shtetit dhe Milan Radonjiq, i cili ishte në krye të degës së inteligjencës së Beogradit, morën 30 vjet burg secili për nxitjen e vrasjes.
Markoviq tashmë po vuan një dënim 40-vjeçar për vrasje të tjera politike.
Gjykata gjithashtu dënoi me 20 vjet burg ish-oficerët e inteligjencës, Ratko Romiq dhe të arratisurin Miroslav Kurak, i cili u dënua në mungesë.
Ata u dënuan për kryerjen e vrasjes.
Çuruvija themeloi gazetën “Dnevni Telegraf”, gazeta e parë e përditshme e pavarur në Serbinë post-komuniste në vitet 1990.
Ai u dallua si një kritik i Slobodan Milosheviqit, i cili përfshiu Serbinë në luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë gjatë qeverisjes së tij 12-vjeçare.
Çuruvija u qëllua jashtë shtëpisë së tij në Beograd më 11 prill 1999, vetëm disa ditë pas fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s, që ndihmoi në përfundimin e operacioneve ushtarake të Beogradit kundër shqiptarëve në Kosovë.
Familja e Çuruvijas ka akuzuar Milosheviqin se ka porositur personalisht vrasjen.
Milosheviqi u arrestua më 2001 dhe u akuzua nga gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë për gjenocid dhe krime të tjera lufte të kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990.
Ish-presidenti serb vdiq në njësinë e paraburgimit të gjykatës më 2006, përpara se të merrej një vendim. \ REL