13 Shtator, 2022 - 3:43 pm
Liqeni i Shkodrës ka pritur vizitorë të veçantë të cilët kanë sjellë një atmosferë të gëzueshme në qytet.
Kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, ka postuar në rrjetet sociale një set fotografik me pamje të mrekullueshme të ujërave që rrethojnë Shkodrën, e në të cilat lundronin gondolat e famshme veneciane.
Varkat tradicionale të Venecias, për herë të parë kanë lundruar në liqenin e Shkodrës dhe Bunë.
Pamjet befasuese sollën në kujtesë kohët kur Shkodra e Venecia kishin një komunikim më të ngushtë, nga pikëpamja e transportit ujor.
“Sa herë flitet për historinë e qytetit tonë, është e pamundur të mos ndalemi tek fakti se Shkodra e Venecia janë dy rajone me lidhje që datojnë shekuj më parë”, shprehet kryebashkiaku Spahia.
Sipas tij është e natyrshme që këto lidhje mbeten ende të forta dhe kanë pika takimi në ekonomi, art e turizëm.
Bardh Spahia priti në brigjet e Shirokës, pas një udhëtimi fantastik me gondola në ujërat e liqenit të Shkodrës, miqtë e “Associazione Settemari Asd, Aps di Venezia”.
“Bëhet fjalë për një grup intelektualësh të fushave të ndryshme por që i bashkon pasioni i lundrimit. Duke zgjedhur Shkodrën, ata kanë bërë promovimin turistik më të bukur për qytetin”, tha kryetari i bashkisë Shkodër, i cili i ka ftuar miqtë italianë të eksplorojnë të tjera mrekulli të zonës. / atsh / KultPlus.com