12 Tetor, 2024 - 1:54 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha sot se ky vit ka qenë një dëshmi e rëndësisë së përkushtimit ndaj trashëgimisë historike duke i paraprirë boom-it të turizmit kulturor që përkthehet në mbështetjen më të qendrueshme të zhvillimit ekonomik.
Duke folur në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për përmbylljen e sezonit turistik veror 2024, Gonxhja theksoi se të flisje për Shqipërinë turistike vite më parë, ndërsa pritej me orë e me ditë të tëra në radhë për viza para ambasadave për të udhëtuar jashtë shtetit, do qe e pamundur.
“Po aq sa duket e pabesueshme sot të shohësh radhët e turistëve të huaj për të hyrë e vizituar muzetë e kështjellat tona, festivalet e eventet, biletaritë, portet e pikat tona kufitare. Ky transformim nuk është rastësor por rezultat i punës së madhe të kësaj qeverie për të udhëhequr me një vizion suksesi”, theksoi ai.
Gonxhja u ndal tek rritja e ndjeshme e vizitorëve, si vendas ashtu edhe të huaj që sipas tij, provon interesin në rritje për thesaret tona kulturore, krahas natyrës dhe ofertës akomoduese e shlodhëse.
Ai vuri në dukje se janë rreth 500 objekte të restauruara e mirëmbajtura, nga të cilat 210 objekte restauruar me buxhet shteti dhe donatorë, 190 objekte mirëmbajtur me buxhet shteti, 99 objekte private trashëgimie kulturore përfitues nga buxheti i shtetit për Bonusin e Rijetëzimit.
Kjo punë e jashtëzakonshme, vijoi Gonxhja, të shoqërohet me sisteme menaxhimi për biletim e mirëadministrim efikas, teknik e financiar.
Sipas tij, rreth 5 mijë paga mujore llogariten të gjenerohen vetëm nga thirrjet dhe financimet e projekteve artistike e kulturore për vitin 2024.
“Kemi organizuar mbi 600 evente artistike e kulturore në mbarë vendin, duke shënuar një rritje të jashtëzakonshme prej 150% krahasuar me vitin e kaluar. Shfaqje, koncerte, eksperienca inovative e gjithëpërfshirëse dhe ekspozita të hapura për publikun kanë sjellë një mozaik të larmishëm artistik e argëtues për mbi 500,000 spektatorë”, u shpreh Gonxhja.
“Këto ngjarje jo vetëm që kanë pasuruar ofertën kulturore të vendit, por kanë gjallëruar ekonominë lokale duke ofruar mundësi të reja për sipërmarrësit vendas, duke rritur punësimin e të rinjve, si dhe duke vendosur kulturën në zemër të zhvillimit ekonomik. Gjithashtu, mbështetja e artizanatit ka ndihmuar veçanërisht në zonat rurale dhe qytetet më të vogla, duke i ofruar artizanëve, zejtarëve, duar-artëve edhe më shumë mundësi në tregtimin e punimeve të tyre unike”, vijoi ai.
Megjithatë, tha ministri, për të përballuar këtë rritje të ndjeshme të turizmit, është thelbësore të vendosen standarde të larta shërbimi, të cilat përkojnë me pritshmëritë e vizitorëve vendas dhe të huaj.
“Fokusi ynë sot shkon tek kualifikimi i kapaciteteve njerëzore, duke inkurajuar aktivisht regjistrimin e studentëve në programet e arsimit profesional, ku vetëm në vitin e ri akademik, janë regjistruar 4,700 studentë, 10% më shumë se në vitin e kaluar, ku gjithmonë e më shumë rritet interesi për sektorin turistik. Le të përfitojmë nga ky entuziazëm dhe të vazhdojmë ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion edhe më interesant turistik e investimi, ku së pari çdo shqiptar të dëshirojë të punojë e të jetojë”, përfundoi Gonxhja. /atsh/ KultPlus.com