18 Qershor, 2024 - 11:17 am
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije se në 5-mujorin e parë të vitit 2024, parqet arkeologjike kanë shënuar rritje të vizitueshmërisë me 53,3 %, krahasuar me shifrat e vitit 2023.
“136,293 vizitorë në parqet tona arkeologjike gjatë 5-mujorit të parë të 2024”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale, ku kujtoi edhe një herë se orari zyrtar i sezonit veror, nga muaji maj e deri në tetor është 09:00-19:00.
Vizitueshmëria e parqeve arkeologjike ashtu edhe nëpër institucionet e tjera të trashëgimisë kulturore, ka ardhur në rritje, sidomos pas periudhës së vështirë të Covid-19. Shifrat e vizitorëve të objekteve të trashëgimisë kulturore kanë shkuar në ngjitje ashtu si edhe rritja e numrit të turistëve në vend. Parqet arkeologjike janë një ndërthurje e natyrës së bukur shqiptare me objektet e trashëguara nga lashtësia. Dhe shifrat tregojnë se nga viti në vit vizitorët, shqiptarë e të huaj po kuptojnë vlerat që përcjellin hapësira të tilla.
Kalatë historike të Shqipërisë, muzetë dhe parqet falë restaurimeve të kryera viteve të fundit janë kthyer në atraksione tërheqës për turistët vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com