Gonxhja: Artistët e TKOBAP, ambasadorët më të mirë të kulturës e trashëgimisë sonë

11 Mars, 2025 - 11:06 am

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka bërë një falenderim të veçantë për artistët e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit e Ansamblit Popullor.

“Një falënderim i veçantë për artistët tanë të talentuar. Ju jeni ambasadorët më të mirë të kulturës e trashëgimisë sonë dhe një dëshmi se tradita dhe arti mbeten shtylla të identitetit tonë kombëtar”, ka shkruar në rrjetet sociale kreu i MEKI-t.

Ministri Gonxhja bëri këtë falënderim pas performancës së artistëve në panairin e turizmit ITB Berlin, ku pjesëmarrja e Shqipërisë, sipas tij, ishte një tjetër dëshmi e potencialit të madh kulturor dhe turistik që ofron vendi ynë.

Gonxhaj theksoi se suksesi në panair nuk do të ishte i mundur pa magjinë që sollën Trupa Artistike e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore me mbështetjen e Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Me performanca të jashtëzakonshme, ata jo vetëm që përcollën artin dhe traditën shqiptare përpara një audience ndërkombëtare, por edhe krijuan një atmosferë unike që bëri të ndihej shpirti i vërtetë shqiptar në zemër të Evropës”, shkroi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme