21 Prill, 2025 - 2:44 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga Kalaja e Bashtovës, e cila po merr jetë të re, jo vetëm si një monument historik, por si një hapësirë funksionale dhe dinamike për komunitetin dhe vizitorët.
Përmes projektit EU4CULTURE të financuar nga Bashkimi Evropian, është përfunduar restaurimi i plotë i kalasë, ndërkohë që po finalizohet ndërtimi i një qendre moderne për vizitorët.
Kjo qendër do të shërbejë si pikë informacioni me ambiente të përshtatshme për aktivitete sociale, kulturore, artistike dhe edukative.
Synimi kryesor është rijetëzimi i kalasë, duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm turistik dhe kulturor për zonën.
Hapësira e saj unike dhe karakteri historik do të mundësojnë organizimin e koncerteve, ekspozitave, aktiviteteve edukative për të rinjtë, eventeve tematikë dhe shumë të tjera, duke e kthyer kalanë në një qendër të gjallë të jetës kulturore dhe turistike në zemër të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com