2 Dhjetor, 2024 - 9:04 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e vlerësoi sot si “ikonike” mbylljen e Javës Kulturore Kombëtare Kosovë-Shqipëri në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.
“112 vjet Pavarësi dhe 80 vjet Çlirim u festuan me aktivitete të shumta që lidhin historinë dhe kulturën tonë të përbashkët”, shkroi Gonxhja, teksa ndau pamje nga mbyllja e javës kulturore në Muzeun e Pavarësisë.
Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme u përmbyllën me Kosovën, që së bashku me Shqipërinë, nga data 21 deri më 30 nëntor organizuan një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë.
Aktivitetet nisën me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.
Fëmijët patën mundësi të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik të bibliotekarit. Gjithashtu ata panë një videodokumentar mbi GKA ku u njohën me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe diskutuan rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e artit figurativ.
Aktivitetet vijuan me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale, që u hap më 22 nëntor në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës.
Biseda-ekspozitë me artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovoi artin bashkëkohor kosovar dhe theksoi rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.
Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet, në hollin koncertor të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë u mbajt koncerti “Side by Side”. Sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak sollën një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.
Kurse më 23 nëntor, te Piramida u mbajt projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri, që adresoi sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës, me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët për t’u përballur më mirë me këto probleme.
Më 25 nëntor, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, qytetarët patën mundësinë të shikojnë koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të Çlirimit.
Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri, u mbajt sfilata “Krenari mbi supe” që solli punime të kostumeve tradicionale nga fëmijët e kursit të kostumografisë.
Ndërsa tek ArTurbina në Tiranë u mbajt koncerti “Jehonë shqiptare”, që ngjiti në skenë artistë profesionistë që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria, dhe nga Kosova.
Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë mikpriti operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion erdhi si një homazh për Festën e Flamurit.
Kurse nga data 26, deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare u çel një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të të cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.
“Shkodra Elektronike”, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, gjallëruan Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.
Po ashtu, kjo ditë iu përkushtua edhe gastronomisë. “Shije shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare ishte një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.
Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të u mbajt koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, që performoi këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar.
“Tingujt që sollën lirinë” ishte koncerti që paralelisht në këtë ditë u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit ishte edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, vendosi në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, u organizua po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.
Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar ishte e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha.
Ekspozita që solli 25 fotografi bardhezi iu kushtua të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Më datë 28 Nëntor të gjithë shqiptarët u mblodhën bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet dhuroi shumë emocione.
Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk mungoi as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që u transmetuan në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.
Java Kulturore Kosovë – Shqipëri u përmbyll me festivalin “Tirana Art Weekend”, që u mbajt nga data 29 nëntor, deri më 2 dhjetor te shtëpia e ish-të përndjekurve në Tiranë.
Ky aktivitet bashkoi aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.
Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.
Edicioni i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më datë 1 maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbylli këtë edicion të tretë./atsh/KultPlus.com