24 Tetor, 2024 - 8:35 pm
Muzeu “Besa”, me projektin nga Oppenheim Architecture, është vlerësuar me çmimin prestigjioz “Honour Award of Excellence” nga Instituti Amerikan i Arkitetktëve (AIA) në Miami.
Lajmin e bëri të ditur, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja teksa ndau në rrjete sociale, pamje nga Muzeu “Besa”.
“Vlerësimi me çmimin prestigjoz e vendos Muzeun “Besa”, në radhët e klasifikimeve më të larta në botën e arkitekturës”, tha ministri.
Oppenheim Architecture janë kujdesur që në çdo element të dizenjuar të pasqyrohet “Besa” në vetvete dhe traditat e vyera të transmetuara brez pas brezi, duke u ofruar të gjithëve një pasqyrë të artë të shqiptarisë.
Muzeu do të jetë një destinacion i ri në qytet për të gjithë ata që duan të njihen me faqen e lavdishme të historisë së shqiptarëve në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai do të ngrihet në godinën e njohur si “Shtëpia e Libohovitëve”, Monument Kulture i Kategorisë I, që ndodhet në krah të Kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve./atsh/KultPlus.com