29 Korrik, 2024 - 7:00 pm
Qendra Historike, ose Vlora e Vjetër, e rikonstruktuar përmes një projekti të përbashkët të AADF dhe Qeverisë Shqiptare, tashmë është një nga pikat më tërheqëse për vendasit e vizitorët.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje filmike të kësaj pjese të qytetit bregdetar, e cila është një nga pikëndalesat më interesante për këdo që e viziton Vlorën.
“Qendra Historike Vlorë, një hapësirë me vlera të shumëfishta, e cila përmbledh në vetvete historinë e qytetit, ngjarje e momente me rëndësi kombëtare e mbarëkombëtare, si dhe dëshmi e vlera të traditës në arkitekturë”, shkroi ministri Gonxhja.
Qendra historike në Vlorë, apo lagjja “Muradie,” një prej zonave më të vjetra dhe historike të qytetit, është kthyer prej kohësh në një qendër turistike. Kjo zonë ka ç’t’u tregojë vizitorëve, ndërsa konsiderohet një pikë zhvillimore e qytetit bregdetar.
Në Vlorën e Vjetër, në çdo godinë apo banesë të saj, mund të zbulosh të gjitha fazat e zhvillimit të arkitekturës shqiptare, të materializuara në nivelin lokal. Ndeshim traditën qytetare në ndërtim, stilet arkitekturore otomane dhe më tej, ndikimin e arkitekturës italiane, në variantet e saj neoklasike dhe moderne në katër dekadat e para të shekullit XX, ndikime të stilit austriak etj, të selektuara në raste të veçanta etj.
Ndërtimet në këtë zonë, të evokuara në kohë përmes procesit të restaurimit selektiv dhe në tërësi, përfaqësojnë vlera të vërteta në arkitekturë, të materializuara në shekujt XIX dhe XX, vazhdë e traditave shumë më të hershme.