2 Mars, 2024 - 9:00 pm
Mirëmbajtja, investimet dhe projektet me bashkëpunëtorë të huaj, kanë nxjerrë nga lista e riskut shumë objekte pasuri kulturore në shumë qarqe.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se këto ndërhyrje
janë kryer falë ekipeve dhe specialistëve të drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me mjeshtrat duarartë dhe komunitetet e organet vendore.
Gonxhja u shpreh se “ndërhyrjet restauruese kanë vijuar në: Kishat e Shën Triadhës në Tudas dhe Shën Marisë në Lubonjë;Shtëpinë muze të Kostandin Kristoforidhit në Elbasan;Pikturën murale në kishën e Shën Kollit dhe punime emergjente në Urën e Niçës. Gjithashtu, është në proces një projekt i rëndësishëm për restaurimin e kishës dhe pikturës murale në ishullin e Maligradit, me mbështetjen e projekteve IPA”.
Minisitri Gonxhja u shpreh se “investimet kanë nxjerrë nga risku kishën e Shën Marisë, Barmash dhe Shën Kollit në fshatin Shelcan. Po rijetëzojmë kulturën anë e mbanë Shqipërisë, e rikthejmë lavdinë dhe shkëlqimin e siteve dhe monumenteve kulturore të vendit”, tha Gonxhja.
Monumentet e kulturës në vendin tonë vijojnë të jenë më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja./atsh/KultPlus.com