14 Gusht, 2024 - 10:30 am
Përmes një kolazhi fotografish të realizuara nga Pietro Marubi (14 gusht 1832 – Shkodër, 22 maj 1903), ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, nderoi sot figurën e madhe të fotografisë shqiptare në ditën e lindjes.
“Me pasionin dhe përkushtimin e tij, Marubi vendosi themelet e fotografisë artistike në Shqipëri, ku nëpërmjet lenteve, na ka lënë një trashëgimi të madhe momentesh unike dhe emocione të popullit shqiptar ndër vite”, shkroi ministri Gonxhja.
Pak dihet saktësisht për vitet para ardhjes së tij, në Shqipëri. Udhëtimi i tij nisur nga Italia ka si piketa Korfuzin e Greqisë, kalimin në Shqipëri duke u ngjitur prej jugut në veri, nga Vlora në Durrës, gjersa arrin e vendoset përfundimisht në Shkodër. Vinte me njëfarë përvojë si arkitekt, piktor e skulptor, e ndër veprat e tij më të përmendura në Shkodër janë projekti i Katedrales Katolike të Shën Shtjefnit, Selisë së Konsullatës Italiane dhe pikturat murale të Kishës Ortodokse.
Në Shkodër ka meritën e sjelljes së mediumit të fotografisë, në 1856, kur ishte vetëm 22 vjeç. Marubi hapi studion e parë fotografike (Foto – Studio “Marubbi”, Casa Fondata nel’ 1856). Duke u gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai mori si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Matinë e Kelin. Kujdeset që t’i instruktojë ata në fushën e fotografisë duke i dërguar rreth viteve 1875 të njihen më thellë me këtë medium pranë studios fotografike “Sebastianutti and Benque” në Trieste të Italisë.
Marubi realizoi kartolina me foto shqiptarësh veshur me kostume të zonave fushore e malore, si dhe portrete kartëvizitash në formate të ndryshme.
Në fillim të viteve 1870 punonte dhe si reporter i revistave të huaja si: “L’Illustrazione Italiana”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London News” duke pasqyruar me fotografi jetën në Shqipërinë e atyre viteve. Ishte mësuesi i parë i artit në Kolegjin Saverian të Jezuitëve (1878). Fotografoi edhe në vendet fqinje si familjen mbretërore të Malit të Zi, por dhe banorë e peizazhe. Teknika e përdorur fillimisht prej tij ishte ajo e kolodiumit të njomë e më pas e xhelatinës së thatë. La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 4000 negativë në xham të përmasave të ndryshme./atsh/KultPlus.com