28 Mars, 2024 - 11:50 pm
Ikona e baletit shqiptar, Zoica Haxho feston sot 91-vjetorin e lindjes.
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja uroi sot Haxhon në një postim në rrjetet sociale.
“Zoica Haxho, ikona e baletit shqiptar, feston sot ditëlindjen. Ndër të parat pioniere të këtij arti, me një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, Zoica me plastikën e lojën e saj në interpretim ka krijuar një vend të veçantë në kujtimet e publikut artdashës”, shkruan Gonxhja.
Zoica Haxho lindi në 28 mars 1933 dhe është një ndër të parat pioniere të baletit, ku për vite me radhë ishte prima balerinë e TOB. Një artiste që me punën dhe artin e saj konsolidoi baletin shqiptar.
Pasi kreu studimet për balet në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1956, emërohet balerinë në TOB. Si balerinë përveç disa numrave koreografikë në Shkollën Koreografike të Moskës, kontaktin e parë me skenën shqiptare Zoica e ka në vitin 1957, në baletin “Kujdesi i kotë”, ku interpreton plot finesë rolin e Lizës. Ajo ka një aktivitet të gjatë skenik prej 33 vjetësh, që nga dalja e parë e deri në daljen në pension.
Ka realizuar një galeri të pasur rolesh kryesorë si në baletet e huaja, ashtu edhe ato kombëtare. Krijoi në mendjen e spektatorit personazhe të paharruar me plastikën e lojën e saj në interpretim. Kështu përmendim role me peshë si Lola në baletin “Lola”; Fadeta e baletit me të njëjtin emër; Franceska, në “Françeska da Rimini”; Hajria, në baletin “Halili dhe Hajria”; Delina nga baleti “Delina”, Zogu, në baletin “Petja dhe ujku”; Muza, në “Paganini”; Cuca, në baletin “Cuca e maleve”, Rina, në baleti “Historia e një kënge”; Nica, nga baleti “Tokë e pamposhtur”; etj.
Zoica Haxho ka marrë pjesë në rreth 20 premiera baleti dhe kjo tregon për klasin e saj të lartë të interpretimit. Zoica Haxho i është përkushtuar gjithashtu edhe punës pedagogjike në shkollën e baletit./KultPlus.com