Gonxhja uron Krishtlindjen: Trashëgimia arbëreshe, një krenari që sfidon kohën

25 Dhjetor, 2024 - 10:15 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë sot në rrjetet sociale një mesazh që vlerësimi për trashëgiminë kulturore arbëreshe me rastin e Krishtlindjes.

“Një trashëgimi arbëreshe që sfidon kohën!”, nënvizon ministri Gonxhja.

Në postimin e tij, ministri vlerëson veprën e pedagogut arbëresh Francesco Scorza nga komuniteti i Shën Sofisë (Santa Sofia d’Epiro), i cili ka rikrijuar atmosferën tradicionale arbëreshe përmes këngës së famshme “Lindja e Krishtit”.

“Me rastin e Krishtlindjes, pedagogu arbëresh Francesco Scorza nga komuniteti i Shën Sofisë (Santa Sofia d’Epiro) ka rikrijuar mjeshtërisht atmosferën e traditës arbëreshe përmes këngës së famshme “Lindja e Krishtit”, një poezi e shkruar nga poeti i madh Jul Variboba (1725-1788).

Kjo këngë, pjesë e veprës epike “Gjella e Shën Mëris s’Virgjër” (1762), është kënduar në komunat arbëreshe që prej gjysmës së shekullit të XVIII-të dhe vazhdon të mbetet e gjallë pas më shumë se tre shekujsh!”, thekson ministri Gonxhja.

Ministri Gonxhja nënvizon se viti i ardhshëm, 2025, shënon 300-vjetorin e lindjes së poetit të madh Jul Variboba, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kulturës, gjuhës dhe traditës arbëreshe si një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë.

“Nderojmë kulturën, gjuhën dhe traditën arbëreshe, që mbetet një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne!”, përfundon postimin e tij, ministri Gonxhja.

Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit, ndërsa katolikët mbajnë meshën mesnatën e sotme ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen në kishë ditën e nesërme, për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare./ KultPlus.com

Të ngjajshme