Gonxhja: Vizitoni sitet kulturore dhe përjetoni nga afër trashëgiminë që na bën krenarë

22 Shkurt, 2025 - 12:55 pm

Sitet e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe muzetë e vendit tonë janë kthyer ndër më të vizituarit në vend.

Rritja e numrit të vizitorëve në këto site kulturore ka ardhur edhe si pasojë e vizitave falas në fundjavën e fundit të çdo muaji, .

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale ftoi sot vizitorët të vizitojnë falas këto site kulturore fundjavën e fundit të muajit shkurt.

“Këtë fundjavë lëreni rutinën mënjanë, vizitoni sitet tona kulturore dhe përjetoni nga afër trashëgiminë që na bën krenarë”, shkruan Gonxhja.

Gjatë 2024 sitet kulturore u vizituan nga 1 314 999 persona, 31% më shumë krahasuar me 2023. Pesë sitet më të vizituara në 2024 ishin Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme