Grabitja e shtëpisë së Vaçe Zelës, gjenden gjurmë gishtash dhe flokë

28 Dhjetor, 2021 - 1:29 pm

Shtëpia e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, nuk është kursyer nga hajdutët në kryeqytet, të cilët kanë arritur të marrin edhe medaljen e akorduar për të nga Presidenti i Republikës.

Ngjarja dyshohet se mund të ketë ndodhur gjatë fundjavës, por duke qenë se aty nuk jetonte njeri, nuk dihet disa apo ora e saktë. Bastisja është konstatuar nga motra e mbretëreshës së këngës, e cila kujdesej herë pas here për shtëpinë që ndodhet në një pallat pranë “Pazarit të ri”, në Tiranë.

Kur ka tentuar të hapë derën me çelës, ajo ka parë që në fakt ishte e hapur dhe kur është futur brenda ka gjetur gjithçka përmbys. Në këtë moment ka lajmëruar Policinë dhe shërbimet e Komisariatit nr.1 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, raporton Panorama.

Të paktën deri tani, nga verifikimet e kryera në shtëpi, rezulton se mungon një lap top, ora e bashkëshortit të Veçe Zelës, si dhe një dekoratë. Ekspertët kriminalistë kanë fiksuar disa prova në vendngjarje, gjurmë gishtash dhe një fije floku, që po analizohen në laboratorin e kriminalistikës, për të arritur në ndonjë emër autori të mundshëm.

Ndërsa sa i përket mënyrës se si autorët kanë depërtuar brenda shtëpisë, burimet thonë se dera dyshohet se është hapur me kartë, duke qenë se nuk ishte e mbyllur me çelës.

Burime nga Policia e Tiranës thanë dje ende nuk është arritur të identifikohen autorët që kanë vjedhur shtëpinë e këngëtares Vaçe Zela në Tiranë, e cila është ndarë nga jeta në shkurt të vitit 2014 në Zvicër, ku jetonte me vajzën e saj.

Midis sendeve me vlerë të vjedhura që autorët kanë arritur të marrin është edhe një dekoratë e dhënë për këngëtaren nga Presidenti i Republikës./lapsi.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme