26 Mars, 2023 - 6:39 pm
Sot janë shënuar 24 vite që kur forcat serbe kanë vrarë e masakruar 50 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë, e mes tyre edhe 11 fëmijë, shkruan KultPlus.
Pas vrasjes, forcat serbe rrëmbyen kufomat dhe i zhdukën ato në përpjekje të zhdukjes së të vërtetës.
E ndërkaq, të vetmit të mbijetuar të asaj masakre mbetën, Shyhrete, Vjollca dhe Gramoz Gashi.
Sot, në përvjetorin e 24-të të kësaj masakre, përmes një postimi në Facebook, Gramoz Gashi ka thënë se nuk do të mjaftojë as një shekull i tërë për të shpjeguar mungesën e familjarëve dhe dëshminë e tyre për atë që ka ndodhur në Kosovë.
Në vijim gjeni postimin e plotë:
12 muaj prej tash do të shënojmë një çerek shekulli nga dita e tmerrit, nga dita kur babi, motra e vëllau ikën. Unë e mami mbijetuam. Jo vetem ata të tre por ikën edhe 46 familjarë tanë. Mbijetuam, une mami dhe gruaja e axhës tonë Shyhretja.
Nuk do të mjaftoj një çerek shekulli e as një shekull i terë për të shpjeguar mungesën e tyre dhe deshminë tonë.
Ne jemi dëshmia e asaj që ndodhi, e të vërtetës së gjenocidit serb mbi Kosovën. Dhe këtë nuk do ta ndryshoj askush asnjëherë, as me marreveshje, as me raporte fallce, as me gjykata të improvizuara.
Ne jemi e vërteta, e Kosovës që i ka mbijetuar gjenocidit, do t’i mbijetoj dhe seciles stuhi./ KultPlus.com