11 Korrik, 2020 - 9:54 pm
Para 21 viteve në Suharekë paramilitarët serb kanë bërë një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë.
Në masakrën që u krye mbi 52 anëtarët e kësaj familjeje Gramoz Berisha bashkë më të ëmën dhe nusen e axhës arritën të mbijetojnë.
Rrëfimin rrëqethës të Gramozit për këtë ngjarje e kemi dëgjuar dhe lexuar dhjetëra herë.
Gramozi edhe kësaj radhe në emisionin “Personale” në RTV Dukagjini ka treguar kujtime nga ai moment i tmerrshëm i jetës së tij.
Pas çlirimit të Kosovës popullata kishte filluar të kthehet në shtëpitë e tyre dhe të njëjtën gjë e bëri edhe Gramozi, por e ëma e tij nuk arriti të kthehej në shtëpinë ku iu vranë në mënyrë makabre anëtarët e familjes.
“Kthimi ishte shumë emocionues dhe i dhembshëm për ne. Nuk kemi ditur ku të drejtohemi për fatin e anëtarëve tjerë të familjes. Unë jam kthyer në Suharekë i kam parë vendet por nëna nuk ka mundur të kthehet. Që nga koha e masakrën momi asnjëherë nuk ka mundur të kthehet në Suharekë. Edhe pse kam tentuar disa herë ta dërgojë në shtëpi por ka qenë shumë e vështirë dhe ajo nuk ka munduar ta përballojë emocionalisht kthimin. Shtëpia dhe gjithçka ka qenë e djegur. Unë zakonisht shkojë në atë vend por sa herë shkojë më kthehen ato kujtime të trishta”, tha ai.
I mbijetuari i masakrës së Suharekës thotë se shumë vite pas luftës atij dhe së ëmës i kanë shkuar duke bërë identifikimin e rrobave e gjësendeve të ndryshme të familjarëve.
Në vitet 2001 dhe 2002 vetëm trupat e 25 anëtarëve të familjes Berisha nga Suhareka janë gjetur ndërsa 24 të tjerë edhe sot e kësaj dite nuk kanë një varr.
Gramozi thotë se asnjë informacion nga ajo kohë nuk ka marrë për trupat e familjarëve të tij. /KultPlus.com