Gratë e Kosovës i presin flokët në shenjë solidarizimi më gratë në Iran (VIDEO)

12 Tetor, 2022 - 1:20 pm

Në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, Organizata Joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR) KS” ka mbajtur sot një protestë duke u solidarizuar me gratë në Iran.

Në shenjë solidarizimi me rastin e vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Aminit, aktivistet kanë prerë flokët.

Në mes të sheshit është vendosur ‘Tryeza e Kutisë së Flokëve’ ku ju mund t’i prisni flokët si shenjë rezistence. Gratë iraniane e filluan këtë formë rezistence si një mjet për të protestuar ndaj autoritarizmit dhe për të festuar autonominë dhe lirinë mbi trupin e tyre.

Kujtojmë që Policia e moralit në Teheran vrau Mahsa Amini, 22-vjeçare, për shkak të mosmbajtjes së duhur të shamisë. Pas kësaj ngjarje, protestat u përhapën në të gjithë vendin. Më shumë vajza dhe gra të reja janë rrahur, zhdukur dhe vrarë në Iran. Duke protestuar për një akt të tillë dhune ndaj grave, komunitetet në mbarë botën po bashkohen për të dënuar akte të tilla mizore dhune dhe njëkohësisht për tu solidarizuar me protestueset në Iran për liri.

Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Të drejtat e grave iraniane janë të drejta të njeriut.

Ne nuk jemi të lirë derisa çdo i/e fundit prej nesh të jetë i/e lirë nga dhuna. / KultPlus.com

Të ngjajshme