Gratë iraniane denoncojnë dhunën në industrinë e filmit

4 Prill, 2022 - 2:26 pm

Qindra gra që punojnë në kinemanë iraniane kanë kritikuar dhunën sistematike ndaj grave në industrinë e filmit dhe kanë bërë thirrje për mekanizma që ndalojnë këto veprime. Sipas tyre dhuna dhe ngacmimet në punë janë bërë endemike.

Në një deklaratë të formuluar këtë të premte, më shumë se 200 gra, duke përfshirë disa nga aktoret më të njohura iraniane në nivel lokal dhe ndërkombëtar dënuan dhunën dhe ngacmimet seksuale. “Jo vetëm që nuk ka asnjë mekanizëm për të parandaluar ushtrimin e dhunës nga individët në pushtet, por ekziston edhe një marrëveshje e pashkruar që dhuna ndaj grave në ambientet e punës është normalizuar, pa pasoja serioze që kërcënojnë agresorin”, u shprehën ato.

Gratë denoncuan gjithashtu pabarazinë financiare dhe në vendimmarrje krahasuar me burrat dhe kërkuan të drejtën themelore për të punuar në një hapësirë të sigurt. Ndër të tjera, aktoret iraniane u kërkuan figurave të industrisë që të mobilizohen përmes entiteteve të tilla si Aleanca Iraniane e Filmit Guilds për të formuar një komitet me shumicë gra në mënyrë që të trajtohet dhuna seksuale, të ndëshkohen financiarisht dhe të pezullohen nga puna ata të cilët ngacmojnë gratë në industrinë e filmit, raporton Al Jazeera.

Kazem Gharibabadi, i cili kryeson Këshillin e Lartë të vendit për të Drejtat e Njeriut, tha se gratë në film duhet të mbrohen. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Kulturës dhe Shoqatave të Esnafeve në Iran që të dalin me mekanizma që do të mbështesin gratë dhe tha se gjyqësori është gjithashtu i gatshëm të shqyrtojë denoncimet e bëra. Për më tepër, Gharibabadi pohoi se një projekt-ligj i cili synon mbrojtjen e grave nga dhuna do të ratifikohet së shpejti nga parlamenti. / qika.org / KultPlus.com

Të ngjajshme