8 Mars, 2020 - 1:55 pm
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, ku përmes marsheve dhe aktiviteteve të shumta u bë thirrje për barazi dhe fuqizim të gruas, kudo në botë.
Edhe në Prishtinë është mbajtur marshi tradicional “Marshojmë S’festojmë” nën organizimin e ‘Rrjetit të Gruas’, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e grave, barazisë gjinore, shoqërore dhe ekonomike.
Me thirrjet “Po du me punu pa më ngacmu”, “S’du lule por du kontratë”, një numër i grave kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit, në mesin e të cilave u bashkëngjitën edhe liderë institucionalë.
Edhe amabasada amerikane në Prishtinë, ka shpërndarë një fotografi të grave deputete të legjislaturës së re në Parlamentin e Kosovës në krye me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, duke theksuar se Kosova ka shumë gra që po punojnë për të bërë ndryshimin, transmeton KultPlus.
Shkalla e grave të punësuara në Kosovë mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, në vitin 2019 ishte 22.8 për qind, më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind, shifër më e lartë se në vitin 2018.
Gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen edhe me sfidat e kontesteve pronësore, si dhe dhunës në familje.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare, ishte raportuar për 785 raste të dhunës në familje ku 620 nga to, viktima kanë qenë gra./ KultPlus.com