Gratë presin flokët e djegin shamitë, 35 të vdekur në protestat për vdekjen e 22-vjeçares në Iran

24 Shtator, 2022 - 1:34 pm

Media shtetërore iraniane raporton se të paktën 35 njerëz janë vrarë në më shumë se një javë protesta në Iran, që po organizohen pas vdekjes së 22-vjeçares, e cila u arrestua nga Policia e moralit për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.

“Numri i njerëzve që vdiqën në trazirat e fundit në vend është rritur në 35 persona”, tha agjencia e lajmeve Borna, e cila është e lidhur me ministrinë e Sportit të Iranit, vonë më 23 shtator, duke cituar televizionin shtetëror.

Numri zyrtar i të vdekurve kishte arritur më parë në 17, përfshirë pesë zyrtarë policorë.

Protestuesit kanë dalë në rrugët e qyteteve të mëdha anembanë Iranit, përfshirë Teheranin, për tetë ditë rresht, që nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Gruaja kurde u shpall e vdekur tri ditë pasi Policia e moralit, një njësi përgjegjëse për zbatimin e Kodit të rreptë të veshjes për gratë në Iran, e arrestoi atë në Teheran për mbajtjen e shamisë së kokës në mënyrë “të pahijshme”.

Policia tha se ajo vdiq nga një sulm i papritur në zemër, por aktivistët hedhin poshtë këto pretendime, duke argumentuar se ajo ishte rrahur gjatë arrestimit.

Protestat nisën në vendlindjen e Aminit, në provincën Kurdistan, por më pas u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytetin iranian, Teheran. /KultPlus.com

Të ngjajshme