3 Dhjetor, 2023 - 5:07 pm
Nga Berat Bajrami
Më 23 Nëntor 2023, Teatri Dodona u shndërrua në hapësirë të rrëfimit të përjetshëm të vuajtjes njerëzore, teksa “Gratë Trojane – Replika” shpalosi sagën e tragjedive, që nga Troja deri në botën moderne. Dëshpërimi i Euripidit jehoi përgjatë performancës, duke na kujtuar se thelbi i Trojës, me dhimbjen dhe dhunën e saj, ende përshkon realitetin tonë global. “Troja ende është kudo,” thërret Euripidi, teksa tërheq paralele therëse, “e gjithë bota është Troja jonë e lashtë dhe Troja juaj moderne. Mijëra kuaj, jo nga druri, por nga çeliku… që fluturojnë. Pegasus të hekurt që hedhin bomba kudo”.
Drejtuar nga regjisoret feministe Zana Hoxha dhe Dijana Milošević, dhe e përjetësuar nga Ansamblet e talentuara të Artpolis dhe Dah Teatrit, ky produksion dygjuhësor, në shqip dhe serbisht, shpërfaq vuajtjet e grave si pasojë e luftërave. Prezantimi ishte një kujtesë e përjetshme për ta bërë prioritet paqen, e për të thyer ciklin e konflikteve në avokim të zërave të grave.
Përmes këtij bashkëpunimi Artpolis dhe Teatri Dah kapërcyen barrierat kombëtare, duke krijuar një hapësirë të sigurt për të demonstruar fuqinë e artit, siç shprehet edhe Hoxha: “Sinergjia e krijuar mes nesh si artiste dhe kolektive feministe kapërceu barrierat kombëtare dhe gjuhësore, dhe krijoi një hapësirë që fuqia e teatrit të ndikojë në mendjet dhe zemrat tona duke krijuar një zonë të sigurt për një përvojë të përbashkët”.
Shpëtim Selmani, autor i tekstit bashkëkohorë, theksoi se bota sot vuan nga referencat e shumta, sepse në parim problemet e botës janë të njëjta, të gjitha subjektet janë të njëjta që nga antika; dashnia, lufta. “Ne ende përballemi me probleme të antikës në një formë, çka ka ndryshuar është forma e jetesës, por diçka brenda neve, në substancën njerëzore është prap e njëjtë, sepse luftën nuk e kemi përjashtuar, shtetet dhe kombet ende janë dominante, kufijtë janë aktualë, fuqia e më të fortit ndaj më të dobëtit është ende evidente, dhe realisht nuk ka ndryshuar asgjë”.
Në reflektimin e saj për këtë bashkëpunim, Dijana Milošević solli detaje për sfidat e kaluara.
“Sfida më e madhe në këtë bashkëpunim ndoshta ishte koha e shkurtë që kishim në dispozicion, ishte shumë intenzive. Kishim një javë në Beograd dhe po aq në Prishtinë, dhe sigurisht disa muaj ndërmjet për të shkëmbyer ide, me dramaturgët që shkëmbenin tekstet nëpërmjet takimeve në Zoom, e kështu me radhë, por ishte një presion i lartë. Por, ajo çka na jep shpresë është se fakti se ky proces i bashkëpunimit do të zhvillohet edhe më shumë gjatë vitit tjetër”, shprehet Milošević. Për të gjuha ishte sfidë, por e këndshme. “Gjuha shqipe është vërtet e bukur, mendoj se e ka atë vibracionin që transmeton emocione dhe kuptim edhe nëse nuk e kuptoni”.
Hoxha dhe Milošević, kanë kapërcyer barrierat gjuhësore, duke theksuar natyrën universale të dhimbjes. Dy gjuhësia, larg nga pengimi i të kuptuarit, u bë urë lidhëse duke vënë në pah rezonimin universal të këtij prezantimi, siç u shpreh edhe një person nga audienca, “Unë nuk e kuptoj gjuhën serbe, por e kuptova të gjithë prezantimin, sepse lufta është po aq e keqe në çdo cep të botës; sepse dhimbja nuk ka nevojë për përkthim; por edhe sepse arti është gjuha universale e kësaj bote”.
Shpërfaqja e cenueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së grave përballë shtypjes
Që nga rrënojat e Trojës tek “Gratë në të Zeza”, kjo performancë u thellua në ankthin e përjetuar nga gratë, duke shqyrtuar pasojat e konfliktit dhe qëndrueshmërinë e tyre. Jo vetëm që vë në pah efektet e thella të luftës mbi gratë, por gjithashtu shërben si thirrje për veprim, për të bindur shoqërinë të mbrojë grupet e cenueshme dhe të shumëfishojë zërat e grave në ndjekjen e përhershme për paqe të qëndrueshme.
Personazhe si Hekuba, Kasandra e Andromaka bëhen simbole të fuqishme të forcës së grave në mes të trazirave politike.
Siç edhe reflektoi një person në audiencë mbi prezantimin e “Gratë Trojane – Replika”, intensiteti emocional i performancës rezonon thellë me përvojën universale të një nëne mbi dashurinë dhe humbjen.
“Meqenëse e kam përjetuar luftën e fundit në Kosovë si fëmijë, nuk ka dyshim se lufta është një nga traumat e mia më të mëdha jetësore, të cilën herë pas here, me vetëdije, mundohem ta përballoj dhe ta përpunoj. Por, duhet të theksoj se kjo traumë e së kaluarës sime ka marrë dy dimensione të tjera që kur u bëra nënë – frika se “si do t’i mbroja fëmijët e mi nëse lufta do të përsëritej”, dhe mirëkuptimi e mirënjohja për prindërit e mi për atë se sa të ngarkuar kanë qenë gjatë luftës, pikërisht për atë se si e kanë përballuar frikën për sigurinë tonë si fëmijë”, shtoi një grua e pranishme në audiencë.
Një nga skenat më prekëse, madje edhe për vet regjisoren Milošević, ishte momenti kur burrat fillojnë të abuzojnë gratë duke i lidhur me litar, pas përfundimit të festës. Milošević vë në pikëpyetje rolin e propagandës dhe shpërndarjes së informacionit në nxitjen e ndryshimeve të tilla drastike, duke theksuar rëndësinë bashkëkohore të këtyre narrativave në shkallë globale dhe duke vënë në pah manifestimin fatkeq të tyre në kontekstin lokal.
“Më kujton shumë historitë nga rajoni ynë. Fqinjët e djeshëm apo të sotëm janë shndërruar në abuzues dhe kjo, për mua, është ende diçka që vështirë se mund ta kuptoj – nëse mund ta kuptoj fare. Si mund të kthehesh kundër fqinjit tënd? Si munden, ata që ishin miq për shekuj, festuan së bashku, ndanë jetën së bashku, papritmas të bëhen armiq brenda natës? Çfarë lloj propagande duhet të ndodhë, apo çfarë informacioni nuk i jepet popullit që të ndodhë një ndryshim kaq drastik? Kjo për mua pasqyron histori bashkëkohore që ndodhin kudo në botë dhe për fat të keq na ka ndodhur edhe neve këtu”, u shpreh Milošević.
Kolazh zërash të bashkuara kundër perëndive të luftës
Pas prezantimit të fuqishëm, audienca u angazhua në një diskutim që nënvizoi ndikimin e artit në nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Ky bashkëpunim mes Artpolis dhe Dah Teatrit, ilustron potencialin që arti ka në kapërcimin e kufijve dhe promovimin e bashkëpunimit.
Dijana Milošević, duke reflektuar mbi bashkëpunimin, theksoi rolin e artit dhe aktivizmit si shtylla për krijimin e paqes së qëndrueshme. Bashkëpunimi shërbeu si një urë lidhëse midis komuniteteve, duke sfiduar propagandën dhe nxitur empatinë.
Derisa Milica Petrovic, aktore nga Dah Teatër, u shpreh se, “Arti luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e paqes. Këta janë hapa të vegjël, por me shumë rëndësi”.
Për audiencën, ky bashkëpunim tregoi se, edhe përballë tensioneve politike, arti mund të zbusë dallimet, të kontribuojë në komunikim dhe të frymëzojë paqen.
“Ky prezantim dhe bashkëpunim vjen në kohë të duhur marrë parasysh tensionet momentale mes Kosovës dhe Serbisë, ndoshta si shembull që nëse politika krijon tensione, është përdorimi i artit ai që i zbutë tensionet dhe kontribuon në komunikim, bashkëpunim dhe paqe”, ishte një nga komentet nga audienca, pas përfundimit të prezantimit.
Produksioni “Gratë e Trojës – Replika” drejtoi një kritikë të theksuar për ‘Perënditë’ bashkëkohore – politikanët. Për ta, miliona viktima janë thjesht statistika, dhe pasojat e veprimeve të tyre i shohin me indiferencë, të paaftë për të kapërcyer egon e tyre, ata janë aq të largët nga dhimbjet e njerëzve, duke mbetur të shkëputur nga vuajtjet njerëzore.
Dijana Milošević shtron pyetjen: “Kush janë perënditë për ne?”, teksa shton: “Perënditë janë ata që vendosin për jetët tona, dhe sot, politikanët, me një nënshkrim, vendosin për jetën e njerëzve. Ata marrin vendime që në fakt do të ndikojnë në jetën e miliona njerëzve, dhe më pas e transferojnë përgjegjësinë tek ne. Fatkeqësisht, në shumë vende, përfshirë edhe vendin tonë Serbinë, politikanët ia kthejnë përgjegjësinë njerëzve në vend që ta marrin përsipër vet”.
“Gratë Trojane – Replika”, ende në procesin e krijimit, qëndron si një testament i fuqisë së qëndrueshme të artit për të rritur vetëdijen, sfiduar perceptimet dhe përfundimisht është një kontribut në përpjekjet për ndërtimin e një bote më paqësore.
Për Shpëtim Selmanin, bashkëpunimi mes Artpolis dhe Teatrit Dah ishte veçanërisht i rëndësishëm. Ai theksoi rëndësinë e këtyre zërave në përpjekjen për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë.
“Mendoj se këto bashkëpunime duhet të bëhen, këta zëra kaq unik, kaq të veçantë, edhe kaq të duhur, duhet të ekzistojnë patjetër. Jam pesimist se bota do të ndryshojë, duke e parë se si po manovrojnë politikanët, të pushtetshmit. Megjithat, mendoj se zërat e tillë nuk duhet të shuhen kurrë”, u shpreh Selmani.